Auditor i përzgjedhur i pjesmarrësve e kishin mbushur sallën e madhe të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë për përurimin e librit “Arti i bashkëbisedimit” (Avni Spahiu, publicist, diplomat, përkthyes) i shkrimtarit Sali Bashota, edituar ditë më parë nga shtëpia botuese “Rea” nga Prishtina.
“Avni Spahiun brezi ynë i gjimnazistëve mezi priste ta lexonte në “Rilindje” me tekstet e tij nga New Yorku e që në mbamendjen rinore na dukej shkrim ndryshe. Spahiu, lexuesin, botën intelektuale, të përkthimit e të diplomacisë e pasuroi me mendim të thellë, tekst interesant, shqipërim fantastik e urti të rrallë dhe sot po vjen në shtëpinë e tij – në bibliotekë ku e ka vendin e nderit”, theksoi në fjalën e hyrjes Naime Beqiraj drejtoreshë e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, ndërsa për shkrimtarin Ibrahim Berisha ky libër paraqet dinamikë intelektuale me integritet shprehje të dijes së gjerë. “Avniu e vazhdoi punën si publicist dhe përkthyes letrar, filozofik, historik, sociologjik, humanist. Sot është redaktor i revistes PEN Kosova, po pavarësisht këtij obligimi professional, ai nuk ndalet të shkruajë, të përkthejë, të flas urtë dhe qetësishte të thotë atë që duhet të dëgjohet me kujdes për të mirën e qytetareve të Kosovës. Gjuha e komunikimit të Avniut shihet edhe në liber si pasuri komunikimi”. Autori i librit Sali Bashota konsideron të ketë qenë privilegj, nderim dhe respekt që ka biseduar me Avniun për realizimin e këtij projekti. “Ky është libri i Avniut, nuk është i imi, janë idetë e Avniut mendimet, konceptet, bota e Avniut shpirti i tij krijues, shpirti i tij diplomatik kështu që është libër, mendoj që do të zerë vend të veçantë në publicistikën shqiptare”.
Presidenti Fatmir Sejdiu, duke kujtuar miqësinë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në gazetën e studentëve “Bota e re” në vitet, risolli kujtesën e një rubrikë për të cilën tha se ajo rubrikë sikur e dërgoi Avniun në skajet e botës. “Avniu është personalitet unikat i urtë me fjalën të fortë, i qetë me dinamizëm në punë dhe elemente të tjera të cilat faktikisht e bëjnë të pandalur në misionin që ka pasur dhe e ka realizuar në mënyrë jashtezakonisht brilante”. Edhe Don Lush Gjergji, foli me emocion për botimin e këtij libri: “Kur lind fëmiju gëzohet familja, gëzohet rrethi, gëzohen miqtë e dashamirët, kur lind libri atëherë gëzohen njerëzit të cilët merrën me librin dhe për të cilët libri është bukë dhe libër.
Vet protagonist i librit Avni Spahiu në fjalën falenderuese ndër të tjera theksoi se nuk ka gjë më të vështirë se të botosh një libër për vetvetën sepse edhe mund të keqkuptohesh. “Po po të mos ishte miku im Sali Bashota, ky libër as që do të dilte, sepse kur shkruan një libër për vetën, ta lavdosh apo ta kritikosh vetveten, tash e shoh sa vështire e ka pasur Petro Marko kur e ka shkru librin e tij autobiografik ‘Intervistë me vetvetën’. Saliu ma dha këtë mundësi se përndryshe nuk do të mund ta përshkruaja heshtjen time në jetë dhe angazhimin tim”.
Kjo orë përurimi u mbyll me ndarje mirënjohje nga ana e Drejtoreshës së Kulturës së Prishtinës Sibel Halimi për të cilën ishte privilegj të mund të ndajë këtë mirënjohje për z. Avni Spahiun në këtë ditë përurimi të librit "Arti i bashkëbisedimit", me motivacion “Avni Spahiut për punën e tij të shkëlqyer si përkthyes letrar, si publicist dhe diplomat”. Për znj. Halimi Avni Spahiun, e kemi shembull të shkëlqyer të publicistit kreativ, të përkthyesit të mrekullueshëm nga gjuha angleze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas me rreth 30 libra të shquara. “Z. Spahiu letërsinë angleze dhe amerikane na e ka kthyer në shqip aq bukur, ashtu siç na ka përfaqësuar si Kosovë aq denjësisht si diplomat nga Uashingtoni, në Azi e Europë”.