Qindra fëmijë kanë përformuar, kanë blerë libra, janë regjistruar falas në tendën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në festivalin simpatik që do të mbledh gjatë tërë javës fëmijë, prindër e mësimdhënës për të sjellë librin më afër fëmijëve. E organizuar nga ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” e Prishtinës, “Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë”, sivjet shenon edicionin e dytë dhe ka për qëllim nxitjen e kulturës së leximit tek brezat e rinj si dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë.
Kjo ngjarje krejt e veçantë e cila ishte hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”, pati regjistrim falas për fëmijët e klasëve l – IX në tendën e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”. Krejt këto ngjarje u shoqëruan me pika të ndryshme artistike dhe përformansa nga fëmijët, sipas Drejtoreshës së Kulturës së Komunës së Prishtinës Sibel Halimi, janë mundësi fantastike për fëmijët të përfshihen në aktivitete kreative dhe edukative, si dhe të zbulojnë magjinë e librave.
Aktivitetet që zgjatën nga 2 deri më 6 tetor në Sheshin “Zahir Pajaziti” krijuan hapësirë të gjallë për lexime, punëtori, takime me autorë dhe shumë aktivitete tjera që inkurajojnë dashurinë për librat dhe artin ndër më të vegjlit. Gjithashtu, u ofruan programe të pasura për të gjithë vizitorët e vegjël të kryeqytetit dhe gjithandej Kosovës. Përveç shfletimit të librave fantastikë, fëmijët patën mundësinë të marrin pjesë në aktivitete edukative dhe argëtuese që do të mbeten gjatë në kujtesën e tyre, pastaj vallëzime dhe lojëra të ndryshme me maskota, "Diskutime mbi artin, kulturën dhe letërsinë", shpërndarja e librit "E dini që fëmija juaj është me dhunti atëherë kur...", janë vetëm disa nga aktivitetet dhe ngjarjet e programit kulturor dhe edukativ të festivalit!
Nga 2 deri më 6 tetor 2024, amfiteatri i sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë u kthye në një oazë magjike të leximit, argëtimit dhe edukimit për të gjitha moshat!