Në një atmosferë solemne në mes performansash muzikore e artistike, në fshatin Llukar të Prishtinës, u përuruan ambientet e renovuara të degës së Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” dhe të Qendrës Kulturore.
Fëmijët që përformonin në skenë, ishin po ashtu edhe lexuesit më të zellshëm të kësaj biblioteke të cilët sipas bibliotekistes sonë Shpresa Krasniqi, janë në garë se cilët po lexojnë më së shumti libra.
Edhe të pranishmit në këtë solemnitet shprehën fjalë miradije për tërë këtë proces dhe këtë ambient i cili sipas Alban Zogajt, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, kishte luajtur rol të rëndësishëm sidomos gjatë viteve ’90.
Për drejtoreshën për kulturë të Komunës së Prishtinës Sibel Halimi, kjo hapësirë do të shërbejë si një vend takimi për të rinjtë dhe të rejat që e duan artin dhe dëshirojnë ta zhvillojnë atë. “Është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë të angazhohen, të krijojnë dhe të shprehin veten në një ambient kaq frymëzues”.
Hapësira e bibliotekës do të shërbejë si për nxënësit e shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” të fshatit Llukar dhe shkollave tjera përreth dhe për lexuesit e moshave të ndryshme të kësaj ane.