Edhe këtë javë po vazhdon interesimi i shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve të kryeqytetit për ta vizituar institucionin tonë. Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” e vizituan nxënës të shkollës fillore “Elena Gjika’’nga Prishtina - klasa III/5 së bashku me mësuesin e tyre Zymer Cakolli.
Nxënësit u mirëpritën nga bibliotekistet Minire Bërbatovci dhe Antigona Lahu dhe nga zyrtarja për aktivitete kulturore Fikrie Halili. Vogëlushët u njoftuan me historikun, ambientet e bibliotekës, ecurinë e punës në bibliotekë, për librin dhe huazimin e tij, për shfrytëzimin e hapsirave për lexim, për fondin librar që gjendet në sektorin e fëmijëve po ashtu u interesuan edhe rreth anëtarësimit ku nga sot u bënë anëtarë të saj. Pyetjeve të shumta që i patën nga kurreshtja e shtuar fëmijërore, punonjëset e bibliotekës iu përgjiigjen me kënaqësi.
Lexuesit e vegjël zbuluan së bashku me bibliotekistët botën magjike të bibliotekës dhe zgjodhën së bashku autorë të letërsisë për fëmijë, me ç’rast lexuan së bashku tregime, pastaj bashkëbiseduan rreth librit, rreth autorëve të preferuar duke u bërë kështu të gjithë pjesëmarrësit protagonistë, të cilët rrëfyen përjetimet e tyre gjatë shijimit të leximit. Me këtë rast, nxënësve iu dhurua edhe nga një libër me tregime dhe ese të ndryshme. Fëmijët u ndanë të kënaqur nga vizita dhe premtuan se do të vijnë më shpesh në bibliotekë. Për ne ishte kënaqësi të presnim vizitorë kaq të pasionuar për librin.
Fëmijët dhe libri për ne si institucion janë shumë të rëndësishëm, prandaj i kemi në kujdes dhe i shijojmë me kënaqësi së bashku këto vizita. Po kështu, mundohemi që të jemi inkurajues që këto takime të mbesin gjatë në kujtesën e tyre, në mënyrë që në të ardhmen këta fëmijë të jane miq të vërtetë të librit dhe të bibliotekës. “Një fëmijë që lexon është një thesar për të ardhmen”, thuhet.
Grupet e nxësëve dhe të kopshteve janë të gjithmonë të mirësardhura për vizitë në bibliotekën.